Secondary Adv

Kostoja e një foshnje në Shqipëri, sa 66 për qind e pagës vjetore, e dyta më e shtrenjtë në Europë

Shqipëria renditet ndër vendet europiane ku produktet bazë për një foshnje krijojnë barrën më të lartë financiare në raport me të ardhurat.

Shpenzimet për vitin e parë arrijnë në rreth 66 për qind të pagës mesatare vjetore, duke e renditur vendin të dytin në Europë, pas Moldavisë.


Të dhënat vijnë nga një analizë e Remitly, e pasqyruar nga Euronews, e cila ka përllogaritur kostot bazuar në çmimet e korrikut 2026 dhe i ka krahasuar me të ardhurat mesatare të punonjësve. Në Moldavi, barra arrin në 88.8 për qind të pagës mesatare vjetore, ndërsa në Shqipëri në 66 për qind.


Diferenca me shumë vende të tjera europiane është e konsiderueshme. Në Turqi, shpenzimet përfaqësojnë 45.1 për qind të pagës mesatare vjetore, në Mal të Zi 45 për qind, në Serbi 41.4 për qind, në Bosnjë-Hercegovinë 36.1 për qind, në Portugali 35.7 për qind dhe në Hungari 34.7 për qind.


Në ekonomitë me të ardhura më të larta, e njëjta shportë produktesh përbën një pjesë shumë më të vogël të pagës. Pesha është 5.4 për qind në Belgjikë, 6 për qind në Luksemburg, 6.7 për qind në Danimarkë, 7.5 për qind në Mbretërinë e Bashkuar dhe 7.6 për qind në Norvegji. Në Irlandë dhe Zvicër arrin në 8 për qind, në Gjermani 8.1 për qind, në Austri 8.2 për qind dhe në Francë 8.5 për qind.


Në Shqipëri duhen rreth 5,532 euro për produktet bazë

Për Shqipërinë, kostoja është e lartë edhe në vlerë nominale. Sipas analizës, një familjeje i duhen rreth 5,532 euro gjatë vitit të parë për shportën e përcaktuar të produkteve esenciale për foshnjën. Shifra është mbi mesataren europiane prej 4,727 eurosh.


Spanja rezulton vendi me koston më të lartë nominale, me 6,294 euro në vit, e ndjekur nga Holanda me 6,140 euro, Finlanda me 6,066 euro, Suedia me 6,025 euro dhe Zvicra me 6,018 euro. Në grupin ku shpenzimet lëvizin nga 5 mijë deri në 6 mijë euro përfshihen edhe Luksemburgu me 5,665 euro, Italia me 5,609 euro, Lituania me 5,563 euro, Shqipëria me 5,532 euro, Serbia me 5,509 euro dhe Mali i Zi me 5,500 euro.


Krahasimi evidenton diferencën e fuqisë blerëse mes vendeve. Kostoja prej 5,532 eurosh në Shqipëri është vetëm 486 euro më e ulët se në Zvicër, por në Zvicër përfaqëson vetëm 8 për qind të pagës mesatare vjetore, kundrejt 66 për qind në Shqipëri.


Veshjet, formula dhe pelenat zënë 81 për qind të kostos

Analiza përfshin 14 produkte bazë të grupuara në gjashtë kategori: ndërrimin e pelenave, ushqyerjen me biberon, qumështin formulë, produktet e gjumit, transportin dhe veshjet. Në përllogaritje përfshihen pelenat, pecetat e lagura dhe kremrat, biberonët, formula për bebe, krevati dhe dysheku, çarçafët dhe batanijet, sedilja e makinës, karroca dhe veshjet bazë.


Në nivel europian, veshjet përbëjnë mesatarisht 30.3 për qind të faturës së llogaritur, qumështi formulë 25.7 për qind dhe pelenat 24.5 për qind. Së bashku, këto tri kategori përfaqësojnë rreth 81 për qind të shpenzimeve për vitin e parë. Në vlerë monetare, familjet europiane shpenzojnë mesatarisht rreth 1,465 euro për veshje, 1,187 euro për qumësht formulë dhe 1,152 euro për pelena, ose rreth 3,804 euro gjithsej.


Studimi nuk përfshin kostot e çerdheve dhe shërbimeve të tjera të kujdesit për fëmijët, të cilat mund ta rrisin më tej faturën reale. Gjithashtu, raporti mes kostos dhe pagës nuk përfshin faktorë të tjerë që ndikojnë në përballueshmëri, si numri i personave të punësuar në familje, tatimet, transfertat sociale dhe mbështetja shtetërore për prindërit.


Mesatarisht, në vendet e analizuara, produktet bazë për vitin e parë të një foshnjeje kushtojnë sa 20.9 për qind e pagës mesatare vjetore. Në Shqipëri, kjo peshë arrin në 66 për qind, më shumë se trefishi i mesatares.

Burimi: Euronews


Më të lexuarat